E shtunë , 25 Mars 2017
Kreu / Botë / Idomeni, kampi që u shndërrua në qytezë refugjatësh

Idomeni, kampi që u shndërrua në qytezë refugjatësh

Kampi i improvizuar i refugjatëve në Idomeni, ku janë të vendosur rreth 12 mijë refugjatë, ditëve të fundit, përveç nevojave themelore për jetesën, është duke zhvilluar edhe infrastrukturën.

Numri i refugjatëve që largohen nga Idomeni është shumë më i ulët në krahasim me të sapoardhurit, pasi çdo ditë kampi i refugjatëve po zgjerohet në të gjitha drejtimet.

E vetmja pengesë për refugjatët mbetet gardhi prej teli i ndërtuar nga ana maqedonase, por refugjatët vazhdojnë të besojnë se një ditë do të hapet kufiri dhe nuk duan të humbasin momentin e rihapjes së tij.

Ndërkohë, nga ana tjetër refuzojnë të zhvendosen në kampet e tjera zyrtare nga frika se mos dërgohen në Turqi, pas marrëveshjes mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë për të luftuar migracionit e paligjshëm dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Ekipet shëndetësore që kujdesen për refugjatët në Idomeni thonë se foshnjat e para tashmë kanë lindur dhe disa të tjera pritet të vijnë në jetë së shpejti, ndërkohë që në këtë kamp ndodhen rreth 4 000 fëmijë të moshës nën pesë vjeç.

Organizatat humanitare mundohen t’u sigurojnë ushqim dhe nevojat e tjera themelore, por nga ana tjetër edhe vetë refugjatët veprojnë si tregtarë.

Në hyrje të kampit ata shesin ushqim, vaj, fruta, cigare dhe sende të tjera primare, përfshirë edhe telefona celularë.

Osman Belag nga Iraku, i cili në hyrje të kampit shet bukë për përgatitjen e pites tregon se profesioni i tij në Irak ishte këpucëtar, por për shkak se nuk i kanë mbetur të holla, në Idomeni ka filluar një profesion tjetër për të fituar para.

Ai bukën e merr nga një fermer vendas për 80 centë dhe e shet një euro.

“Unë shes rreth 200 bukë në ditë. Populli ynë nuk është i mësuar me ushqime të thjeshta si këto, por nuk kanë rrugëdalje tjetër. Nëse vazhdojmë edhe gjatë kohë të qëndrojmë këtu, ky kamp do të shndërrohet në një çarshi ku do të kemi mundësi të gjejmë gjithçka çka na nevojitet”, thotë irakiani Osman Belag.

Ndërkohë, siriani Fadil Hashar, i cili ka mbi një muaj që ndodhet në Idomeni, sapo ka filluar të punojë në profesionin e tij që në Siri e ka ushtruar për 19 vite.

Ai është berber dhe thotë se për shkak se refugjatët në Idomeni ndodhen për një kohë të gjatë, u nevojitet një berber që të kujdeset për pamjen e tyre. Një prerje e flokëve dhe mjekrës te berberi Fadil Hashar kushton pesë euro.

“Mjetet për kryerjen e punës i kam blerë në Selanik. Sirianët janë pak të çuditshëm, ata kujdesen shumë për pamjen e tyre, por këtu më mungojnë shumë sende si krem, xhel dhe sende tjera kozmetike. Shoh se këta njerëz kanë interesim të madh për pamjen e tyre, kështu që në ditët e ardhshme ndoshta do të blejë edhe sende tjera të nevojshme”, thotë Fadil Hashar.

Nga ana tjetër, organizatat ndërkombëtare kanë angazhuar punëtorë vendas për të pastruar kampet. Gjithashtu, numri i tualeteve është duke u rritur dhe në ditët e ardhshme pritet që të ndërtohen edhe barakat e para, të cilat do të furnizohen edhe me energji elektrike. Me këtë mund të thuhet se Idomeni është shndërruar në një qytezë të refugjatëve me rreth 12 mijë banorë.

Javën e fundit temperaturat në këtë rajon janë rritur dukshëm dhe autoritetet greke vazhdojnë të apelojnë që refugjatët të tërhiqen nga kampi i improvizuar në Idomeni, për shkak të frikës për përhapjen e epidemive.

Nga ana tjetër, qeveria greke ka deklaruar se nuk duhet të përdoret forcë për të shpërndarë refugjatët nga Idomeni, por duhet të angazhohen persona të cilët do të bindin refugjatët të zhvendosen në kampet e tjera zyrtare, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Çdo mëngjes vërehen dy apo tre autobusë në hyrje të kampit të cilët janë angazhuar për të transportuar refugjatët, mirëpo në mbrëmje këta autobusë shumicën e rasteve kthehen të zbrazur apo rastësisht me ndonjë familje ”të dorëzuar”, që kërkon kushte më të mira jetese.

Mos humbisni

Çfarë gabimi! Banka gjermane dërgon pa dashje 5 miliardë euro

Një bankë në pronësi të shtetit gjerman bëri një gabim “idiot” duke dërguar në pesë …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.