Kreu / Ekonomi / Fillon “avazi” me rritjen e çmimit të frutave…

Fillon “avazi” me rritjen e çmimit të frutave…

Ritmi i rritjes së çmimeve të frutave shënoi rekord në muajin nëntor. Sipas INSTAT, çmimi i frutave në muajin e kaluar shënoi rritje me 20.8% në raport me nëntorin e vitit të kaluar, ritmi më i lartë i rritjes gjatë një viti.

Ekspertët e tregut pohojnë se shkak për këtë rritje të fortë të çmimeve është bërë mungesa e prodhimit në treg në disa artikuj. Pranvera e acartë dhe vera shumë e thatë kanë dëmtuar agrumet dhe disa lloje të rrushit, duke i bërë kështu më të shtrenjta disa fruta të stinës së vjeshtës. Tregtarët pohojnë se këtë vit kanë munguar tërësisht disa lloje të rrushit të “tavolinës” dhe ka shumë pak prodhim të agrumeve, pasi një pjesë e tyre janë tharë nga ngricat e dimrit të kaluar dhe vera e thatë që sapo lamë pas.

Frutat ruajtën të njëjtat vlera importi si edhe vitet e kaluara, me rreth 5 miliardë lekë gjatë periudhës janar-tetor 2017.

Shqipëria mbetet vendi me peshën më të lartë të bujqësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në Europë dhe gati sa dyfishi i rajonit, ndërkohë që paradoksi qëndron në faktin se vendi vijon të jetë importues neto i prodhimeve bujqësore.

Në Maqedoni, bujqësia zë 10.2% të peshës në totalin e PBB-së; në Malin e Zi zë vetëm 10% të PBB-së; në Bosnjë, vetëm 7.8% të PBB-së; në Serbi zë 9.7%; në Ukrainë 11.8% dhe në Rusi vetëm 4%. Në vendet e zhvilluara të BE-së, bujqësia zë rreth 2% të PBB-së. Teksa sektori ka pozitë dominuese në ekonominë shqiptare, vendi vijon të importojë produkte ushqimore 4 herë më shumë se sa eksporton.

Kjo ecuri tregon se vendi ndodhet ende në inercinë e trashëgimisë së para viteve ‘90, pa mundur të modernizojë dhe të përshtatë sektorin me nevojat e reja të ekonomisë së tregut.

Përkundrazi, masat e marra në vitet 1990 me “masakrën” në copëzimin e tokës për frymë, financimet me pikatore dhe politikat fragmentare të zhvillimit e kanë çorientuar zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të sektorit. Bujqësia vijon të dominojë ekonominë shqiptare për nga numri i të punësuarve me (39.7% të totalit) dhe me kontributin në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Mos humbisni

Mashtrimi me ofertat e dhjetorit, çmimet e televizorëve, lavatriçeve … u rritën /Ja tabela

Të gjithë ne i kemi parë ofertat joshëse të dhjetorit ku sektori i shitjeve me …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.