E mërkurë , 7 Dhjetor 2016
Kreu / Kuriozitete / Kompensohen diplomatët e mbajtur peng
Kompensohen diplomatët

Kompensohen diplomatët e mbajtur peng

Kompensohen diplomatët e mbajtur peng

Diplomatët amerikanë dhe stafi i ambasadës, të cilët ishin mbajtur peng për 444 ditë në Teheran pas revolucionit të vitit 1979, e kanë fituar kompensimin pas 36 vjetësh.

Projekt-ligji mbi shpenzimet, i miratuar nga Kongresi amerikan gjatë javës së kaluar, sipas gazetës New York Times, parasheh që do të kompensohen me nga 4.4 milionë dollarë  secili nga 53 ish-pengjet në Teheran apo pasardhësve të tyre.

Secilit prej tyre, një ditë e kaluar si peng, do t’i paguhet 10 mijë dollarë. Kjo shumë do të shpaguhet për 53 ish-pengjet, 37 nga të cilët ende janë gjallë.

Kjo shumë e mjeteve thuhet se do të sigurohet nga një dënim prej 9 miliardë dollarësh që e ka paguar banka franceze BNP Paribas, për shkelje të sanksioneve kundër Iranit, Kubës dhe Sudanit.

Viktimat e sulmeve të tjera terroriste, të organizuara nga shtete të caktuara, do të mund të përfitojnë po ashtu nga ky ligj.

“Unë u tërhoqa në skaj të rrugës dhe në parim nisa të qaj”, ka thënë për New York Times, Rodney Sickmann, një oficer i Marinës që punonte atëbotë si roje e sigurisë në ambasadën në Teheran.

Gjykatat dhe qeveria amerikane, në mënyrë të vazhdueshme kanë mohuar kërkesat e tyre për kompensim.

Në një intervistë dhënë për “The Washington Post”, Thomas Lankford, avokat i ish-pengjeve dhe familjeve të tyre, i cili ka mbrojtur interesat e tyre në një betejë të gjatë gjyqësore, e quajti rezolutën e miratuar si një “përmbushje pas një kohe të gjatë”.

Nga trysnia në rritje nga protestat në rrugë për shkak të pushtetit që ushtronte, Shahu i Iranit, Reza Pahlavi, braktis vendin në janar të vitit 1979, duke nxitur kështu edhe rrënimin e regjimit mbretëror nga kryengritësit muajin pasues.

Lideri i revolucionit, Ayatollah Ruhollah Khomeini, u kthye nga ekzili dhe u bë lideri suprem i Republikës Islamike të Iranit në dhjetor të vitit 1979, raporton REL.

Pengjet në Teheran ishin marrë nga një grup studentësh të njohur si Pasuesit Myslimanë të linjës së Imamit. Ata kishin hyrë me forcë në ambasadën amerikane në Teheran në vitin 1979. Disa nga pengjet u ishin nënshtruar torturës psikologjike dhe keqtrajtimit.

Pas marrjes së ambasadës dhe marrjes peng të stafit diplomatik e punonjësve të tjerë për më shumë se 14 muaj, Washintoni i pati prishur marrëdhëniet diplomatike me Teheranin.

Tensionet janë ulur ndjeshëm në muajit e fundit si rezultat i bisedimeve disa mujore mbi programin bërthamor të Iranit, negociata që çuan në arritjen e marrëveshjes historike bërthamore në korrik të vitit 2015.

Mos humbisni

dddd-3-780x439_1479908529-3583027

Ja ç’do të thotë të shohësh në ëndërr njerëz që kanë vdekur

Mistikët pretendojnë se bota e ëndrrave tona, mund të përbëjë një lidhje me botët e …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.