Pala italiane duket se ka qenë sinjalizuesi i autoriteteve doganore shqiptare për ngarkesën prej 613 kilogramë kokainë që u kap në Maminas. Prokurori i dosjes, Edvin Kondli, ka nxjerrë këtë version gjatë masës së sigurisë që u dha për dy të arrestuarit shoferin Armando Pezaku dhe Donaldo Lushajn, raportojnë burime për TCH.
Dyshimet për ngarkesën nisën kur kontenieri me 20 ton banane ndodhej në portin Livornos në Itali, duke njoftuar vendin pritës Shqipërinë.
Kontenieri ka vazhduar udhëtimin në Maltë, për të përfunduar më tej në Portin e Durrësit dhe drejt Maminasit, ku edhe u sekuestruar 613 kg kokainë.
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, operacioni ka vijuar me dorëzim të kontrolluar për të konfirmuar se ngarkesa do të dorëzohej në magazinën e “Arbëri Garden” në Maminas.
Magazina në dukje ishte modeste, por në brendësi të saj mbante 180 milionë euro, pasi përveç bananeve aty u gjend edhe rreth 613 kg kokainë e cila u soll nga Kolumbia, nga kamioni.
Për dy të arrestuarit Pezakun dhe Lushajn, prokuroria tha se janë të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, ndërkohë që dy persona të tjerë, bashkë me Arbër Çekajn janë në kërkim.
Përmes kamionëve Çekaj sillte nga Kolumbia në Shqipëri banane, por në pas hetimeve dhe kontrolleve të policisë u zbulua se së bashku me bananet në vendin tonë transportohej dhe lëndë narkotike.
Kompania “Arbri Garde” është një kompani që kryesisht merret me importin e frutave ekzotike nga vendet e Amerikës Latine. Droga ishte e ndarë në 528 pako të mbështjella me natriban me kode të vendosura nga trafikantët dhe kapte një vlerë prej 180 milionë euro.
Diskutime rreth kësaj post