Nga Altin Ketro
Pa mbushur ende dy muaj në krye të LSI-së, kryetari Petrit Vasili jep dorëheqjen dhe zgjedh të jetë kryetar i grupit parlamentar. I zgjedhur kryetar pa garë e pa votim po veç me duartrokitje në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit dhe pas dorëheqjes së ish kryetarit Ilir Meta që mori detyrën e Kryetarit të Shtetit, Petrit Vasili do të mbahet mend si kryetari më jetëshkurtër i një partie të rëndësishme në skenën e politikës shqiptare. Të jetë vallë kjo ndjenjë përgjegjësie për rezultatin që korri LSI-ja? Epo gjatë gjithë fushatës u pompua me të madhe se kjo forcë politike do të jetë e para, njësoj siç numri në fletën e votimit. Jo vetëm kaq, por nga Presidenti i zgjedhur u theksua me forcë se kryeministri i ardhshëm do të jetë Petrit Vasili i cili do të kishte timonin e qeverisë.
Absurdi arriti deri aty ku, pasi të ndodhte kjo, Presidenti Meta do të jepte dorëheqjen nga detyra e lartë shtetërore!!! Pyetja që lind vetiu është: po çdo të bënte pas kësaj Ilir Meta, kur nuk është as deputet? Do kthehej në një shtëpiak të devotshëm që do merrej me rritjen e fëmijëve dhe gatimin që Zonja e tij ta gjente gjellën të ngrohtë?! Kuptohet që ato kanë qenë thjesht deklarata boshe të hedhura pa doganë për konsum publik që kush ta hante ta hante. E vërteta e thjeshtë është që populli shqiptar u kuptoi që Petrit Vasili ishte figura groteske e çiftit Meta në krye të LSI-së, njësoj siç është Lulzim Basha figura e Sali Berishës në PD. Askush s’e mori seriozisht Petrit Vasilin si kryetar, as brenda në LSI e as jashtë saj, kështu që, ai, në ndryshim nga Lulzim Basha, nuk ia lejoi vetes të bëhej objekt talljeje.
Ajo që mua më shqetëson është fakti se Ilir Meta na e paraqiti për gati një muaj Petrit Vasilin si një personalitet që jo vetëm i plotësonte kushtet për të qeverisur Shqipërinë, por që kishte aftësi të mbinatyrshme për ta udhëhequr atë drejt prosperitetit. Tashmë që ai nuk qe i zoti t’i jap dum një partie më shumë se dy muaj, e jo më Shqipërisë, i duhet thënë me plot gojën Presidentit të zgjedhur: I dashur Ilir, po t’i desh na more më qafë! Po si mund t’i besohej e ardhmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve një lideri të tillë të dështuar? A ndjen ndopak përgjegjësi për ato deklarata që lëshove kudo që shkove, duke bindur edhe ata që t’i dhanë 19 mandate se Petrit Vasili ishte drejtuesi i duhur? Nuk po e zgjas më tej me zotin Vasili sepse ai është kapitull i mbyllur dhe më duhet t’ia njoh meritën se e kuptoi në kohë situatën për t’u larguar me nder, pa u përsëritur ndonjë situatë tjetër si ajo që po përflitet rëndom si thashethemnajë këto ditë në Tiranë.
Tani, mirë që iku zoti Vasili, po cili/a do e pasojë atë? Kandidatura kryesore që po thuhet se do e zëvendësojë është ajo e Zonjës së Parë të ardhshme, bashkëshorte e ish kryetarit Meta. Që LSI-ja është parti familjare kjo nuk do shumë mend për ta kuptuar, por zgjedhja e Zonjës në fjalë do jetë vulosja edhede jure i këtij perceptimi. Në fakt LSI-ja funksionon dhe ekziston veç po pati në krye çiftin Meta. Ata janë themeli, kolona dhe soleta. Po ranë ata, LSI-ja mbijeton aq sa mbijeton kripa në ujë. Deri më sot LSI-ja është identifikuar mediatikisht vetëm me imazhin e zotit Meta, por që në realitet aty ligjin e bën Zonja e tij. Jepi Çezarit atë që i takon Çezarit, prandaj është e kotë të fshihesh pas gishtit e t’ia heqësh meritat Zonjës, kur i ka fituar me vite ato. Është organizatore e shkëlqyer dhe këtë e ka treguar jo vetëm nga rezultatet e LSI-së, por edhe nga ato personale ku ka humbur vetëm një garë nga katër të tilla ku ka marrë pjesë në 16 vitet e fundit. I çuditshëm është fakti se përse ka kandiduar në zona të ndryshme zgjedhore dhe asnjëherë nuk ka tentuar të njëjtin qytet. Fillimisht doli si deputete e Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2001 ku përfaqësoi lagjen Kombinat në Tiranë. Pas krijimit të LSI-së, tentoi të bëhej deputete në vitin 2005 në Dibër, por dibranët e saj nuk ia besuan votën. Rifitoi mandatin në zgjedhjet e vitit 2009 duke kandiduar në qarkun Lezhë. Në zgjedhjet e fundit të 25 qershorit mori mandatin e ri në qarkun Elbasan.
Zonja karakterizohet si përfillëse ndaj kujtdo që i shërben LSI-së po edhe i atyre që s’e shohin LSI-në me armiqësi. Fjala e Zonjës aty është ligj edhe sikur zoti Meta të jetë kundër. Nuk është politikane mirëfilli, bile në artikulim publik është shumë e dobët dhe këtë e ka shfaqur edhe në bisedat ku u ftua gjatë fushatës. Jashtë kamerave, po i shkele në kallo, mjerë ti po re në gojë të saj. Por, si organizatore fushate, e ritheksoj, është për t’i hequr kapelën. Jep frymëzim tek brezat e rinj ku ndjehet si në habitatin e vet, ndonëse vitet kanë bërë të vetën. Nuk njeh lider tjetër veç vetvetes dhe këtë e ka shfaqur qysh në krye të herës, kur ishte sekretare e Përgjithshme e FRESSH-it me kryetar formal Ilirin. Diku nga vitet 1993-1994, kur PS-ja zhvillonte mitingje për dënimin e kryetarit të burgosur Nano, kur gjithë salla e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” thërriste në kor emrin e tij, Zonja së bashku më FRESSH-istat thërrisnin në kor pa pushim vetëm: “Eurosocialist”, pa ia përmendur asnjëherë emrin Nanos. Ishte një sfidë më vete kjo, për të bërë diferencën dhe një shkëputje nga interesi i momentit i socialistëve, për t’u faktorizuar si grupim më vete, gjë që në fakt e zbatuan ku FRESSH-i nisi të formësohej dalëngadalë si një parti brenda PS-së.
Gjithsesi, precedenti i trashëgimisë në politikë që po vendoset nga LSI, ndonëse është çështje e brendshme e tyre, merr paska nota jo kaluese kur mendon që bashkëshorti i Zonjës së Parë është edhe Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë. Detyra e tij është të qëndrojë mbi palët, për çfarëdolloj situate politike dhe këtu ka një konflikt të pastër interesi. Dihet që LSI-ja do të jetë njëra nga dy partitë kryesore në opozitë e si e tillë nuk përjashtohen përplasje me qeverinë apo me vetë kryeministrin Rama. Po imagjinoja tani një takim të thirrur në Presidencë nga zoti Meta për të sheshuar mosmarrëveshjet ku në krahun e majtë është kryeministri e në krahun e djathtë Zonja e Parë. Pyetja që unë s’di t‘i jap përgjigje për momentin është nëse Presidenti i ardhshëm Meta do sillet si President apo si bashkëshort?! Sjellja e tij gjatë fushatës ku shfaqi anët me të këqija të një Presidenti në ardhje, më bëjnë të besoj se do anoj nga e dyta. Veç në qoftë hipokrit dhe të shtiret siç u shtir për 4 vjet me radhë për të fituar staturën e Presidentit. Të shohim!
Diskutime rreth kësaj post