Kreu / Dosje / Cili ishte Kasëm Kaçi, drejtori më jetëgjatë i Policisë Shqiptare

Cili ishte Kasëm Kaçi, drejtori më jetëgjatë i Policisë Shqiptare

Kasëm Kaso, i njohur publikisht Kasëm Kaçi, është lindur më 16 qershor 1927 (një burim tjetër mban vitin 1928), në Gjirokastër. I ati, Servet Kaso, e la foshnjë në bark të nënës kur vetë, Serveti, emigroi larg, në tokën e ëndërruar, të konsideruar e shenjtë për mërgimtarët shqiptarë. I ati ka emigruar më 1929, i cilësuar emigrant ekonomik në SHBA. Atje është martuar rishtas, duke pasur edhe dy fëmijë të tjerë. Në kurbet humbi lidhjet me gruan e parë dhe nuk mundi të shohë me sy e të njohë të birin, Kasëmin, i cili u shqua në karrierën policore. Kasëm Kaçi kreu 5 klasë të shkollës fillore në Gjirokastër, në periudhën 1936-1941, ndërsa shkollën e mesme e ka kryer në Shkodër, pas çlirimit të Shqipërisë, pa shkëputje nga puna. Arsimin e lartë, Institutin Juridik, e ka kryer në periudhën 1956-1959. Ka kryer me korrespondencë Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike, në Universitetin Shtetëror të Tiranës, duke u diplomuar “jurist”. Është specializuar në Bashkimin Sovjetik për shërbimet e Policisë.

Në muajin maj 1943, ende pa mbushur moshën 16 vjeç, doli partizan, duke u rreshtuar në njësitë luftarake sulmuese partizane dhe rezulton se ka marrë pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në muajin prill 1944, emërohet në funksionin “përgjegjës rinie” në kompaninë e tretë, batalioni tretë, të Brigadës VI Sulmuese Partizane. Në shtator 1944, caktohet në detyrën “punëtor operativ” në shtabin e Divizionit II dhe pas dy muajsh kaloi në shtabin e Korpusit III, në detyrën “punëtor operativ dhe referent”.

Në muajin shtator 1945 caktohet “referent” në degën e informacionit në Tiranë. Më 16 janar 1946, emërohet “komandant” i stacionit të Qendrës në Sektorin e Punëve të Brendshme në Shkodër. Pas gjashtë muajve, më 15 shtator 1946, transferohet në Llakatund, Vlorë, në detyrën “zëvendësshef policie”. Në muajin mars 1947, emërohet “instruktor” në Drejtorinë e Punëve të Brendshme, në Vlorë, por edhe këtu nuk qëndroi gjatë mbasi u rikthye në Shkodër, në muajin shtator 1947, i caktuar në detyrën “referent politik”.

Pas dy vjetësh, në shkurt 1949, transferohet në Tiranë, i emëruar “instruktor” në Shkollën e Policisë. Edhe në këtë detyrë nuk qe e thënë të qëndronte për shumë kohë, mbasi në muajin maj 1949, u emërua në postin “shef sektori i zhdukjes krimeve”, në Durrës. Në nëntor 1949, transferohet në detyrë paralele në Tiranë, ku punoi me përkushtim dhe devotshmëri të lartë.

I vlerësuar për punën shumë të mirë në funksionin e shefit të sektorit të krimeve në Tiranë, në muajin tetor 1952, ngrihet në përgjegjësi duke u emëruar “zëvendësshef policie” në Degën (Drejtorinë) e Punëve të Brendshme në Tiranë. Pas një viti pune të suksesshme në postin e sipërcituar, me qëllim rritjen e efikasitetit të punës kriminale në Shkodër, në shtator 1953, transferohet në rrethin veriperëndimor të vendit, i emëruar në detyrën “shef i sektorit të zhdukjes së krimeve”. Në janar 1954 lirohet nga detyra dhe shkon me studime në Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike.

Pas kthimit nga shkolla ruse, në prill 1955, emërohet “shef policie”, në Fier, dhe në gusht të këtij viti emërohet “shefi i Seksionit II”, në qarkun e Vlorës. Në prill 1957, u transferua nga Vlora në Korçë, i emëruar në postin “shef policie” dhe zëvendësdrejtor i Degës së Punëve të Brendshme. Në mars të vitit 1966, duke qenë në këtë post (i riemëruar) “shef policie dhe zëvendëskryetar Dege” është shpërblyer tre herë.

Vlerësimet e mira të punës dhjetë vjeçare, në Korçë, ndikuan që Kasëm Kaçi të emërohej në shkurt 1968 në postin e lartë “Drejtor i Policisë Popullore”, ku qëndroi për dymbëdhjetë vjet pa lëvizur, deri në janar 1980. Në janar 1980, është emëruar “drejtor i zbatimit të vendimeve penale”. Në gusht 1982, është rikthyer përsëri në detyrën “Drejtor i Policisë Popullore”, ku shërbeu deri në dhjetor. Në dhjetor 1984 doli në pension. Kasëm Kaçi ka fituar gradualisht të gjitha gradat ushtarake dhe konkretisht: Në vitin 1945 gradohet “kapter”; pas dy vjetësh, në vitin 1947, fiton gradën “aspirant”; në vitin 1949 gradohet “nëntoger” dhe në vitin 1951 gradohet “toger”.

Ky gradualitet në ngjitjen e shkallëve të gradimit dhe hierarkisë ka ruajtur njëtrajtshmërinë edhe në gradimet e mëvonshme. Në dhjetor të viti 1955 Kasëmi u gradua “kapiten II”; më 1 korrik 1957 fitoi gradën “kapiten I”; më 1 korrik 1959 gradohet jashtë radhe “major”, duke u shpërblyer për punën e mirë.

Gradën “nënkolonel” e ka fituar më 1 korrik 1963403), të cilën e mbajti deri në reformimin e gradave, kur u hoqën përfundimisht më 1966, deri sa u rivunë më 1991. Kasëm Kaçi është nderuar me shumë medalje dhe urdhra, ndër të cilët: medaljen e “Kujtimit”, medaljen e “Trimërisë”, medaljen e “Çlirimit”, dy medalje të “Shërbimit Ushtarak” (një në vitin 1951 dhe një tjetër në vitin 1953), medaljen “10 vjetori i Ushtrisë”, urdhrin “Ylli Kuq” me rastin e plotësimit të kohës 10 vjet të shërbimit në ushtri, urdhrin “Skënderbeu” të Klasit II, për mbushjen e kohës 15 vjet të shërbimit në ushtri, urdhrin “Skënderbeu” i klasit I, për 20 vjet kohë shërbimi në ushtri, urdhri “Shërbimit Ushtarak” i Klasit I.

Vlerësimet e punës të çdo viti i ka shumë të mira, duke cilësuar inteligjencën e tij, zellin në studime, përkushtimin në detyrë, marrëdhëniet e mira me eprorët dhe vartësit, rezultatet e larta në çdo detyrë ku ka shërbyer, ngritjen ideopolitike, papajtueshmërinë me armikun e klasës, dinamizëm në punë, njohës i mirë i rregulloreve dhe akteve ligjore, zbatues i përpiktë i tyre, praktik në zgjidhjen e problemeve, organizator dhe (fati nuk qe me Kasëm Kaçin për të gëzuar gradat e tjera madhore, mbasi reformat komuniste në strukturat e Forcave të Armatosura, sipas vijës kineze, u hoqën spaletat dhe vlerësimet e merituara të gradimeve ushtarakëve të të gjithë niveleve deri në ndryshimin e sistemit të qeverisjes, më 1991) drejtues i aftë, me partishmëri në detyrë, metodist i zoti, kontrollues e ndihmues i kujdesshëm, i etshëm për dije e kulturë, këmbëngulës në zgjidhjen e kërkesave e ankesave të qytetarëve, i përpiktë në kryerjen e detyrave të Partisë, aktivist në problemet e ndryshme, njohës i mirë i shërbimeve të policisë, kërkues ndaj vartësve, këmbëngulës dhe i përpiktë në detyra, jep kudo shembullin personal, i thjesht dhe i dashur me vartësit, etj.

Me rastin e 50 vjetorit të lindjes, më 16 qershor 1977, e ka përshëndetur me një letër të posaçme, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Kadri Hazbiu. Në vitin 1943, kur mbushi 16 vjet, u pranua anëtar i rinisë komuniste, ndërsa në dhjetor 1944 u pranua anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare, në organizatën e Partisë së kompanisë në Korpusin e III, në Shkodër. I janë njohur si vjetërsi shërbimi koha 41 vjet, 7 muaj e 28 ditë. Përfitoi pension në shumën 1200 lekë, në vitin 1984.

Ka shkruar një libër, me karakter përshkrues, për zhvillimin e Policisë të periudhës pasçlirimit, i cili ka pasur vlerësime të mira nga kritika. Po kështu ka shkruar edhe: “Forcat ndihmëse të ruajtjes së rendit” (nuk ka vit botimi); “Krijimi i organeve të ruajtjes së rendit e të qetësisë gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (20 tetor 1942, shkurt-mars 1945)”, Tiranë: Albpaper, 2009; “Zbulimi, parandalimi i krimeve dhe roli i qytetarit”, Tiranë: Albpaper, 2009; “Për dunavatasit”, Tiranë: Albpaper, 2007.

Është drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare më jetëgjati, madje është caktuar dy herë në këtë post. Fakti që ka mbajtur gati 16 vjet postin, tregon se ka qenë i vlerësuar, gjë të cilën nuk e mohojnë edhe bashkëkohës të tij e ish-kolegë, të cilët flasin me respekt për punën e Kasëmit. Është veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nipi i tij, djali i vajzës, Igli Toska, qe ministër në kohën e qeverisë socialiste (2004-2005). Aktualisht, Kasëmi, jeton në Amerikë. Shoqata e të persekutuarve e ka akuzuar për terror e dhunë ndaj tyre, duke e renditur në listë me numër “142”. Disa të dënuar në burgun e Spaçit, e përmendin ndër personazhet që u shfaqen në krye të strukturave që shtypen revoltën e kampit (burgut) të Spaçit).

Ka qenë në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë kur zbarkoi në Divjakë banda e Xhevdet Mustafës, dhe për këtë ka shkruar kujtime e ka dëshmuar publikisht.

Mos humbisni

VIDEO / Kur Janullatos u zgjodh Kryepeshkop, salla brohoriste: Fan Noli! Fan Noli!

Ishte 2 gushti i vitit 1992. Në Tiranë do të shënohej një ngjarje e rrallë. …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.