E diel , 19 Shkurt 2017
Kreu / Aktualitet / Avioni i Ishmit, italianët kërkojnë kthimin; piloti “zhduk” kontaktet

Avioni i Ishmit, italianët kërkojnë kthimin; piloti “zhduk” kontaktet

Për herë të tretë brenda 3 muajve, firma “Aeroclub Savona” i ka kërkuar prokurorisë t’i kthejë avionin “Piper”, të sekuestruar në Ishëm për llogari të dyshimeve se ai mund të përdorej për çështje trafiku.

Shkresa e fundit i është përcjellë organit të akuzës javën e kaluar dhe në të pronarët italianë argumentojnë se mjeti fluturues po mbahet i bllokuar pa shkak përsa kohë piloti Guido Andrea Guidi është thjesht një i punësuar pranë kësaj agjencie.

Por edhe pozicioni i pilotit italian para hetuesve është ende i paqartë, që prej muajit shtator kur kaloi kufirin shqiptar në mënyrë të paligjshme.

Ajo që dihet është se 69-vjeçari është sistemuar nga autoritetet shqiptare dhe një mision italian në kryeqytet. Burimet e prokurorisë thanë se ai është pyetur disa herë për arsyet e fluturimit më 15 shtator.

Guidi, thanë burimet, po shfaqet kontradiktor duke qenë se fillimisht pohoi se kishte fluturuar në Shqipëri për shkak të kohës së bukur, ndërsa më pas u tha hetuesve se ishte kontaktuar nga disa shqiptarë për të parë terrenin nëse ishte i përshtatshëm për të transportuar drogë në rrugë ajrore.

I pyetur së fundmi, piloti Andrea Guidi ka shpjeguar se kishte ardhur në Shqipëri me dëshirën e tij, për të këqyrur territorin dhe më pas do priste për oferta për t’u bërë transprotues droge.

Me gjithë veprimet e prokurorisë, provat për këtë dosje konsiderohen të dobëta, përsa kohë posedohet një telefon i 69-vjeçarit, prej nga vërtetohet se ai ka folur vetëm me familjen e tij menjëherë pasi ka ngecur në pistën e Ishmit.

Ne nuk kemi ende një përgjigje nga ekspertët – thanë prokurorët për shkaqet e këtij aksidenti në Ishëm, për të vërtetuar nëse avioni “Piper” u ul për shkak të një defekti në ajër, nëse ai ngeli në rërë sapo preku tokën, apo për shkaqe të tjera.

Dhe derisa hetuesit t’i japin drejtim hetimeve duket se avioni do të vijojë të ruhet pa afat nga policia e Durrësit, deri në një vendim të prokurorisë që po diskuton nëse do t’ua kthejë pronarëve apo jo.

Mos humbisni

Pogradec, gruaja vret burrin dhe vetëhelmohet

Fatbardha dhe Erzen Tora, 23 dhe 26 vjeç, prindër të një vajze 3-vjeçare dhe një …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.