E premte , 9 Dhjetor 2016
Kreu / Opinion / Ata që mbajnë pushtetin me dhunë duhen dëbuar po me dhunë
rexhep qosja

Ata që mbajnë pushtetin me dhunë duhen dëbuar po me dhunë

Nga Rexhep Qosja

Në Kosovë po shkelen parimet dhe vlerat themelore të demokracisë.

Protesta e 9 janarit ishte një protestë e madhe, historike, me pjesëmarrje masive edhe të të papartishmëve, e organizuar prej tri partive opozitare – prej Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Vetëvendosjes dhe Nismës, me të cilën u bënë përpjekje që të ndërpritet shkelja e këtyre parimeve dhe e vlerave demokratike.

Mjerisht, koktejet e Molotovit dhe autoblindat e policisë i qitën hije, të shpresojmë vetëm përkohësisht, qëllimit dhe kuptimit larghedhës të protestës.

Gjykata Kushtetuese e shpalli të papajtueshme me frymën e Kushtetutës së Kosovës e kjo domethënë me parimet qendrore të saj, Marrëveshjen për Krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, por qeveria e Kosovës, që e nënshkroi këtë Marrëveshje, po e shpërfill vendimin e Gjykatës.

Pjesa larg më e madhe e popullit shqiptar të Kosovës, Marrëveshjen për Krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi i priti si marrëveshje kundërkombëtare, fort të dëmshme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës, kurse qeveria e Kosovës po bëhet e shurdhër ndaj vullnetit dhe zërit të popullit!

Duke e shpallur të papajtueshme me frymën e Kushtetutës së Kosovës, e kjo domethënë duke e shpallur të paligjshme Marrëveshjen në fjalë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës deshi s’deshi i dha të drejtë Opozitës për protestat e saj shumëmujore në Kuvend dhe jashtë Kuvendit kundër këtyre Marrëveshjeve.

Duke mos u pajtuar me dy marrëveshjet në fjalë pjesa më e madhe e popullit shqiptar i dha të drejtë opozitës për protestat e saj kundër këtyre dy marrëveshjeve.

Ata që e shpërfillën Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Vullnetin politik të pjesës më të madhe të popullit shqiptar të Kosovës ata po vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre si të ishte Kosova despoti orientale, në të cilën despotët s’duan të dinë as për Kushtetutë e as për Popull!

Ata që po e shpërfillin Vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Vullnetin e pjesës më të madhe të popullit shqiptar të Kosovës, ata po vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre tashmë të paligjshme, kurse kryetarja e Kosovës po kërkon që për tejkalimin e krizës të bëhet dialog me një qeveri tashmë të paligjshme! Dhe, kështu edhe kryetarja e Kosovës, jo për herë të parë, po shkel vlerat dhe parimet demokratike!

Megjithëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli të papajtueshme me frymën e Kushtetutës së Kosovës Marrëveshjen për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe megjithëse pjesa më e madhe e popullit shqiptar të Kosovës i trajton kundërkombëtare, të dëmshme fort për të sotmen dhe larg më të dëmshme për të ardhmen e Kosovës marrëveshjet e sipërpërmendura, Qeveria e Kosovës, me prokurorët dhe gjykatësit e saj politikë, vazhdon t’i mbajë në arrest deputetët e Opozitës duka ua cenuar atyre të drejtën politike dhe duke fyer kështu të gjithë ne, të tjerët, që kemi shpresuar se me pavarësinë e Kosovës nuk do pësojmë kurrë më arrestime politike!

Kjo nuk është Kosova për lirinë dhe pavarësinë e së cilës është bërë luftë!

Kjo nuk është Kosova që e kemi ëndërruar.

Kjo nuk është Kosova së cilës ia kemi kushtuar kush jetën, kush mendjen e kush pasurinë .

Por, nuk janë të gjitha këto të përmendurat këtu, të vetmet të këqija që po e dëshpërojnë dhe revoltojnë popullin e Kosovës.

Të këqija të tjera, të mëdha, që helmojnë jetën e njerëzve janë: korrupsioni i përshtrirë, krimi i organizuar, nepotizmi, papunësia e shumë e shumë qytetarëve si pasojë e korrupsionit, krimit të organizuar dhe nepotizmit me të cilat të këqija qeveria e sotme dhe paraardhëset e saj, si e tha një studiues amerikan, ka vënë kurorë politike e shtetërore!

Nuk është, prandaj, vetëm Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e ka bërë të paligjshme qeverinë e sotme të Kosovës: të komprometuar, plotësisht të komprometuar, për veprimtari shtetërore këtë qeveri e bëjnë të gjitha këto të këqija bashkërisht.

Kriza politike dhe institucionale e Kosovës nuk do të kalohet pa u larguar kjo qeveri prej pushtetit! Me përgjegjësi të plotë u them atyre qeveritarëve: problemi më i madh i Kosovës jeni ju! Jeni ju: me tregtitë tuaja politike, me kapitalin tuaj të fituar duke qenë në pozita politike, me korrupsionin tuaj, me “rançet” tuaja, me kapitalin tuaj, me nepotizmin tuaj, me 70 dosjet tuaja, të cilat, fatkeqësisht, s’kemi prokurorë e as gjykatës që kanë guximin t’i trajtojnë!

Shteti i Kosovës nuk do të shërohet as në pikëpamje politike, as në pikëpamje shtetërore, as në pikëpamje morale pa u bërë beteja të organizuara politike, institucionale, shtetërore për parandalimin e të këqijave të sipërpërmendura që po nxisin gjithnjë e më shumë banorë të saj për të kërkuar shpëtim në vende të tjera.

Kosova nuk do të qetësohet derisa të jenë në pushtet këta që e kanë sjellë në gjendjen në të cilën është, këta të cilët, si u dëgjua prej një miku të Kosovës, më shumë i tuten gazit lotsjellës në Kuvend, se projektit të Serbisë për shtet të dytë serb në Kosovë, më shumë e konsiderojnë të dëmshëm efektin e gazit lotsjellës në Kuvend sesa humbjen e sovranitetit dhe kthimin e Serbisë në Kosovë!

Hapi i parë drejt këtij shërimi të Kosovës është largimi i qeverisë së atij i cili me jetëshkrimin, me fjalët dhe me mendimin e tij na e sjell në kujtesë regjimin e para njëzet e pesë vjetëve!

Por, në qoftë se nuk duan të largohen vullnetshëm ai dhe bashkësundimtarët e tij demokracia evropiane dhe ajo amerikane na mësojnë:

ATA QË ME DHUNË E MBAJNË PUSHTETIN ATA ME DHUNË DUHET TË DËBOHEN PREJ PUSHTETIT!

Mos humbisni

ANDI BUSHATI

Basha, vizita e gabuar në “Qytetin Studenti”

Nga Andi Bushati Kryetari i PD-së nuk ka gjetur simbolikën e duhur kur ka shkuar …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.