E diel , 19 Shkurt 2017
Kreu / Dosje / Alfred Moisiu: Si e kam njohur Mehmet Shehun

Alfred Moisiu: Si e kam njohur Mehmet Shehun

Ish-presidenti Alfred Moisiu, që ka punuar për rreth shtatë vjet me Mehmet Shehun në Ministrinë e Mbrojtjes, rrëfehet në një intervistë për gazetën Dita, se si e ka njohur këtë të fundit.

– Zoti President, ju e kini njohur nga afër Mehmet Shehun dhe kini punuar me të. Çfarë kujtimesh ruani nga ai?

– Po, unë e kam pasur Mehmet Shehun Ministër të Mbrojtjes, ndaj do të jap disa mendime, duke u përqendruar në cilësitë e tij personale si drejtues, administrator dhe burrë shteti, në vitet 1974- 1979 dhe më pas deri në vitin 1981, kur ai kreu vetëvrasje, periudha në të cilën unë kam punuar direkt nën drejtimin e tij.

Jo vetëm sot, por e kam thënë edhe herë të tjera se ai ka qenë një drejtues shumë efikas, me ide shumë të qarta për ushtrinë dhe mbrojtjen e vendit në kushtet e asaj kohe, studiues në vazhdimësi për problemet e mbrojtjes, i rreptë dhe i drejtë në kërkesën e llogarisë, këmbëngulës për arritjen e objektivave, duke përdorur taktin e duhur, që vinte në punë vartësit deri në arritjen e rezultateve të duhura. Çuditërisht sa i rëndë dhe i rreptë ishte në paraqitjen e tij, aq dhe i komunikueshëm ishte kur punoje me të. Jo vetëm e lejonte kundërshtinë e mendimit, por edhe e kërkonte mendimin e kundërt. Mandej duke ia argumentuar, kur bindej për çka i thoje, atëherë të vlerësonte, pavarësisht se nuk ishe në të njëjtin mendim me të tijin. Për mendimin tim Shqipëria një kryeministër të dytë si ai, me cilësi të rralla drejtuese, deri tani nuk e ka patur.

I them këto mendime pozitive për të sepse më ka takuar që gjatë asaj kohe, të merrem me probleme teknike dhe ushtarake dhe jo rrallë kam pasur kundërshti mendimesh, të cilat ai i ka vlerësuar. Më gjerë dhe më konkretisht për këto probleme janë shprehur në kujtimet e mia në një nga tri librat që kam shkruar.

Si sillej Mehmeti me bashkëpunëtorët e tij? Ju kini qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij në fortifikimin e Shqipërisë, apo jo?

– Theksoj se fillimisht unë isha jo shumë i pranueshëm për të. Kjo jo se më njihte, por thjesht nga marrëdhëniet jo shumë të mira që kishte pasur, si gjatë luftës edhe më pas, me gjeneral Spiro Moisiun. Kur ai erdhi si Ministër i Mbrojtjes, unë isha Drejtor i Xhenios në Ministrinë e Mbrojtjes, që nga vti 1971. Pas ardhjes së tij, ajo drejtori u nda në dy, fortifikim dhe xhenio, në përbërje të Drejtorisë të Përgjithshme, me në krye Gjeneral Mendu Backën, kurse unë u emërova Drejtor i Fortifikimit. Gjatë punës, duke parë nga afër aftësitë e mia tekniko organizative, ndryshoi krejtësisht qëndrimin e tij fillestar, pavarësisht se isha djali i Spiro Moisiut, me të cilin marrëdhëniet vazhdonte të mos i kishte të mira.

Fortifikimi për të, kur erdhi në atë detyrë, ishte si kalë beteje, për të argumentuar më shumë gabimet e Beqir Ballukut dhe punën e tij “armiqësore”. Për problemin e fortifikimit kam folur edhe herë të tjera, për domosdoshmërinë, teprimet dhe mangësitë. Rrjedhimisht nuk e quaj të nevojshme të përsëris ato që i kam shprehur më përpara.

Duke cilësuar karakterin e tij  të veçantë, dua të vë në dukje se në punën me kuadrot kryesore, ai donte të bindej personalisht mbi faktin sesa të saktë dhe të ndershëm ishin njerëzit me të cilët punonte. Nuk manipulohej lehtë nga mashtruesit dhe gënjeshtarët. Jo vetëm kaq, por kur e diktonte një gjë të tillë ishte i ashpër ndaj tyre. Ishte shumë korrekt për oraret dhe detyrat e caktuara, nuk falte vonesën në kryerjen e tyre dhe as shkelje të ligjeve të kohës.

Ndërkohë ishte edhe shumë i kujdesshëm, ndaj vartësve të tij. Gjatë vitit 1974, kur në ushtri u krye pastrimi, sikurse quhej atëherë, duke filluar nga kuadrot kryesore të saj, të cilët ishin njerëz me kontribute të shquara gjatë Luftës, ai  u tregua shumë i rreptë. Ama brendësia e kësaj “rreptësie” ka arsyetimin e saj dhe kjo është thënë fare qartë nga një prej gjeneralëve të kohës, Gjeneral Muhamet Prodani, i cili kishte shumë afrimitet me Mehmet Shehun, të vendosur që në kohë të Luftës, gjë të cilën e përshkruan gjeneral Ramohito në kujtimet e tij. Ndër të tjera gjeneral Prodani i kishte thënë kryeministrit: “Ç’po bëni kështu, po e shkatërroni fare ushtrinë!… Ç’faj kanë bërë shokët që po i godisni kaq egër?!. Mehmeti i kishte thënë: Mbylle gojën, se do ta hash edhe ti! Nuk e kupton që s’kam ç’të bëj!. Me këtë kuptohet që edhe kryeministri nuk ishte shumë i sigurt për veten e tij, se deri ku mund të shtrihej goditja. Paranoja e Komandantit të Përgjithshëm ishte e paparashikueshme.

– Flitet se në atë kohë kishte një klan të Enverit dhe një klan të Mehmetit. A është e vërtetë kjo?

– Nuk mund të thuhet për klane, por preferenca kishte. Ndryshe nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu gjatë Luftës kishte qenë drejtues direkt, por edhe më pas duke qenë ministër dhe kryeministër kishte më shumë kontakte direkte me njerëzit. Dhe në punë e sipër, apo njohje me individë të ndjeshëm ishin krijuar edhe preferencat. Por ama këto preferenca për individë nuk i mbante të përjetshme, i ndryshonte sipas njohjes nga afër në punë. Pra për rrjedhojë, ndryshe nga Enveri, Mehmeti nuk i vlerësonte shumë njerëzit me syrin partiak, por me këndvështrimin e vlerave meritokratike. Dhe konkretisht në ushtri vlerësonte më tepër ato kuadro që kishin më tepër rezultate dhe krijimtari në ushtrimin e detyrave, shumë ndryshe nga Mehmeti, gjykoheshin nga Enveri preferencat ndaj individëve.

Më kujtohet një fillim tetori i 1974-s, kur në një pasdite u bë një mbledhje urgjente e Shtabit të Përgjithshëm, që në fakt ishte parathënie e zgjerimit të goditjes në ushtri. Ndër të tjera u pa se zbërthimin e  thënies së Enverit më qartë e përsëriti Mehmet Shehu: “Beqir Balluku nuk mund ta kryente punën e tij armiqësore në ushtri i vetëm”.  Kjo shprehje e thënë nga Mehmeti na befasoi të gjithëve, sepse menduam se tani kujt do t’i bjerë radha e goditjes. Për të gjithë ne qe befasuese goditja ndaj dy gjeneralëve kryesorë të ushtrisë. Petrit Dumja, njihej si i preferuari i Mehmet Shehut, kurse Hito Çako njihej si i preferuari i Hysni Kapos. Në fakt një kahje e tillë e zhvillimeve atë ditë tregoi se letrat në tryezë po ngatërroheshin keq. Kjo tregonte se përzgjedhja e viktimave kryesore përcaktohej nga Enver Hoxha dhe askush tjetër. Me këto veprime ai synonte jo vetëm të hiqte nga skena njerëz me kontribute të Luftës, por edhe mbështetjen që kishin në ushtri dy nga figurat më kryesore të asaj kohë, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo. Pra ishte edhe një sinjal i fortë për të lënë të kuptohej se kush e kishte çomangën në dorë, e cila mund të drejtohej ndaj kujtdo, që do të guxonte jo më të dilte kundra por dhe as të guxonte  që të jepte shenjën më të vogël të pakënaqësisë. Ndoshta ky ka qenë dhe preludi i përgatitjes së skenarit që do të luhej edhe më pas për të pastruar fushën, me qëllim që Nexhmije Hoxha të mos kishte probleme pas vdekjes së të shoqit.

– Ka shumë nga ata që e kritikojnë Mehmetin se fortifikoi vendin dhe i jepte shumë rëndësi fuqizimit të ushtrisë në atë kohë. Sa qëndrojnë këto kritika?

E kam sqaruar pse në atë kohë iu vu aq rëndësi fortifikimit. Sipas kërkesave të asaj kohe, përsa i përket ushtrisë ai bëri një revolucion të vërtetë. E parë kjo jo vetëm në sferën teorike por dhe në atë të ushtrimit të stërvitjeve të mëdha me trupa, duke filluar që nga ndryshimi në stërvitjen e vogël, që është bazë për nivelin e gatishmërisë së çdo ushtrie. Pra përgjithësisht rëndësi e veçantë iu kushtua jo vetëm rritjes së gatishmërisë luftarake në tërësi si dhe rritjes së prodhimit në vend të gjithçkaje që duhej për ato qëllime. Jo vetëm kaq por ndërkohë u forcua së tepërmi stërvitja e rezervistëve dhe përgatitja e gjithë popullit shqiptar për vetëmbrojtje. Qitja me armë luftarake si për ushtarët ashtu edhe për rezervistët mori përpjesëtim të paparë.

Është e vërtetë që jo vetëm shpenzimet e fortifikimit ishin shumë të mëdha, por edhe buxheti i mbrojtjes u rrit shumë, gjë që për pasojë e dëmtoi rëndë ekonominë shqiptare. Ama dihej se gjithçka për fortifikimin dhe për ushtrinë, më parë miratohej nga Komandanti i Përgjithshëm. Çuditërisht ndodhi që kur e arrestuan ish komandantin e ishullit të Sazanit, të gjorin e akuzuan se pse e kishte fortifikuar ishullin aq tepër!!?? U  befasova kur e dëgjova, sepse e dija që ai plan, në mënyrë të veçantë,  ishte porositur dhe miratuar  personalisht me firmën e Enver Hoxhës.

– A ishte Mehmet Shehu armik apo poliagjent, sikurse u etiketua pas vdekjes nga Enver Hoxha?

Këto ishin thënie të sajuara, sikurse për gjithë rastet e tjera dhe sidomos këto dolën pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Qesharake ishte kur dëgjoje se ai në Luftë nuk kishte qenë trim, por frikacak. Në heshtje jo vetëm unë, por askush  nuk i besonte ato broçkulla që thuheshin për të, ama sikurse dihej, nuk ishte pa rrezik të dilje kundër atyre që thuheshin nga Diktatori.

Enver Hoxha e kishte bërë si metodë se kur donte ta dënonte një njeri, e shpallte armik. Aq ishte kjo e njohur sa që pas dënimit të Kadri Hazbiut, u fol se Myslim Peza kishte thënë: “More por të gjithë armiq i paska pasur kjo parti!”. Konstatim shumë i drejtë i Babë-Myslimit, pasi sikurse po zhvilloheshin ngjarjet, dalë ngadalë po dilte që Luftën e paskeshin bërë armiqtë dhe agjentët.

Por në të njëjtën kohë ishte vënë re se në disa raste ishte parë një lloj servilizmi i ekzagjeruar i Mehmet Shehut ndaj Enver Hoxhës. Më kujtohet kur në 1978–n u kremtua 35 vjetori i krijimit të Ushtrisë, në Shkollën e Bashkuar u zhvillua një ceremoni përkujtimore dhe një paradë. Pasi foli Enveri, Mehmet Shehu menjëherë mori fjalën duke i thurur Diktatorit lavde të padëgjuara ndonjë herë nga goja e tij.

Mos humbisni

Vajza e Azem Hajdarit: Lashë SHBA-në për t’u kthyer në PD

Rrëfimi i Rudina Hajdarit, pse vendosi të kthehej nga SHBA pas punës në Kongresin Amerikan …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.