Kreu / Opinion / Ah Rugova

Ah Rugova

Nga Edison Ypi

Shenjtorët, Profetët, Gjenialët, kanë qenë janë e do të jenë njerëz mes njerëzve si gjith’ njerëzit. Ah Rugova është dëshmia.

Me vetëm fjalë nuk mund të thuhen veçse fare pak prej atyre që mendja lodhet, gjoksi zjen, zemra rreh. Ah Rugova është prova.

Dhemshuria, Mëshira, Dashuria, nuk janë fjalë si gjith’ fjalët që i merr era, por janë vet’ era. Kush tjetër mundet me qen era veçse, Ah Rugova.

Njeriu mund të nderohet, krenohet, lartësohet, ndritet pa fund, jo vetëm për çfarë bën, por edhe për çfarë nuk bën, siç janë shpifjet që nuk shqipton, klithmat që nuk lëshon, sharjet që idhnojnë, dhe plot të tjera të zeza të tilla. Nuk ka shqiptar të mos e dijë se i tillë ishte, Ah Rugova.

Shqiptaria sherret i ka sheshit, tmerret i ha me bukë, plehun nuk e fsheh, turpin ja di gjith’ bota, ndërsa vlerat i ka të fshehura, të ndryra tek disa individë që çfaqen fort rrallë në qiellin e errët të historisë së Shqiptarisë duke u djegur dhe ndriçuar. Ah Rugova, ishte një kometë e tillë.

Vetëm në një fshat të Kosovës, ka aq Kanun, urtësi, respekt, rregull, qetësi, paqe, harmoni, dëshirë për punë, patriotizëm, se në krejt Shqipërinë. Më mirë se të gjithë këtë e ka dit’ Ah Rugova.

Në televizionet kosovare nuk çfaqen kurrë hajna. Hajni kosovar preferon t’ja presin mishin me gërshërë para se t’ja marrin erëzin.
Në Kosovë po të jesh i shoqëruar me një Femër nuk mund të ndodhi kurrë të afrohet dikush të shqetësojë. Nëse kjo ndodh, këtë atje e ndan vetëm gjaku.

Në Shqipëri mund të gjesh me mijëra, por në Kosovë nuk mund të gjesh dot asnjë bujk që të ankohet “jam me zemër”. Bujku kosovar punon, s’ka kohë me u sëmur.

Katundet e Shqipërisë kanë nga disa kafene. Në Kosovë nuk ka kafene nëpër katunde.

Kosova është më pak “e kënduar” se Shqipëria. Por në Prishtinë ka ishuj qytetarie të cilët snobit llomotitës të Tiranës as qurret nuk ja hudhin.
Fush’ Kosova, Sharri, Drenica, Istogu, Prizreni, Rugova, Ah Rugova, janë vende tmerrësisht të bukura, janë ëndërra që me i pa mornica t’kalojn’ nëpër kocka.

Në katundet e Kosovës mund të takosh eruditë vetmitarë, latinistë, kritikë Arti, që ta thonë përmendësh Platonin, Virgjilin, Danten, Lasgushin, Fishtën, Kadarenë.

Kurrkush në botë nuk i ka ditë këto më mirë se, Ah Rugova.

Ah Rugova, nuk shqiptoi kurrë një fjalë të keqe për kërrkënd në botë.

Ah Rugova kurrë nuk mori pjesë në ndonjë miting.

Ah Rugova i fitoi dy herë zgjedhjet pa bërë asnjë premtim elektoral.

Askush në Historinë e Shqipërisë nuk ka ditur ta shndrrojë urtësinë në forcë politike si, Ah Rugova.

Ah Rugova, ishte sfiduesi i heshtur i burracakëve, llafazanëve, banditave, kriminelave, vrasësve, hajdutave.

Ah Rugovën ishte njerëzori, fisniku, artisti, aristokrati, që ja mrriti me e çliru Kosovën me të vetmen mënyrë që Kosova mundej me u çliru, duke pi raki me tonelata dhe duke tymos cigare me kilometra.

Mos humbisni

Pushtetarë dhe ish, edhe vrima e miut është bllokuar

Nga Genta Kaloçi Në prag të reformës dhe vetingut në drejtësi të gjithë mundohen të …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.